Kosova
Kryesore

Gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash rikthehet si komandant i KFOR-it në Kosovë

Gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash ka rimarrë detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke zëvendësuar gjeneralmajorin italian Enrico Barduani, i cili e kishte udhëhequr misionin gjatë vitit të kaluar.

Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së komandës, Ulutash theksoi përkushtimin e tij për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet rajonal. Ai shtoi se do të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si rrugë drejt stabilitetit, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet e Kosovës, Policinë dhe EULEX-in.

“Prioriteti ynë mbetet të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Ulutash, duke nënvizuar se KFOR-i është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të sigurisë në vend.

Kjo është hera e dytë që Ulutash udhëheq KFOR-in; mandati i tij i parë njëvjeçar filloi në tetor 2023 dhe përfundoi në tetor 2024. Karriera e tij ushtarake përfshin pozita të ndryshme në strukturat e NATO-s dhe Ushtrisë turke, duke përfshirë rolin e drejtorit për strategji në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë që nga viti 2021, si dhe komandant i Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s në Turqi.

Aktualisht, KFOR-i ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete dhe është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, duke mbuluar gjithashtu vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ulutash shprehu mirënjohje për paraardhësin e tij Barduani dhe theksoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me të gjitha strukturat vendore dhe ndërkombëtare për të ruajtur stabilitetin në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button