Gjendja me zjarret në Kamenicë mbetet shqetësuese, ndërhyrje nga KFOR-i dhe zjarrfikësit

Gjendja me zjarret në Komunën e Kamenicës vazhdon të jetë e rëndë, ka njoftuar kryetari i komunës, Kadri Rahimaj. Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal në natyrë dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
“Kryetari u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në natyrë dhe t’u shmangen veprimeve që mund të shkaktojnë zjarr. Ai po ashtu u kujtoi pronarëve të pronave private se ndezja e zjarreve është e ndaluar dhe paraqet rrezik serioz për jetën dhe mjedisin,” thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicës.
Rahimaj publikoi edhe foto nga zjarret në Kamenicë, ku ka ndërhyrë edhe KFOR-i. Ai vlerësoi punën e zjarrfikësve, duke thënë se pavarësisht lodhjes dhe mungesës së pushimeve, ata po japin maksimumin për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin.
“Qendra e Zjarrfikësve është në koordinim të plotë me Agjencinë për Menaxhim Emergjent, si dhe me ekipet profesionale të KFOR-it, për të garantuar ndërhyrje sa më efikase në çdo vatër,” deklaroi Rahimaj.
Autoritetet bëjnë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë për të parandaluar përhapjen e zjarreve.