Kosova

Incidentet gjatë ahengjeve familjare në disa qytete

Pesë persona janë arrestuar në 24 orët e fundit nga Policia e Kosovës për të shtëna me armë zjarri gjatë ahengjeve familjare në disa komuna të vendit.

Në Lladroc të Malishevës, policia ka ndaluar dy persona pasi kishin shtënë me armë gjatë një ahengu. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe sekuestruan një pushkë gjuetie me 16 fishekë, një revole dhe 17 gëzhoja. Të dyshuarit, pas intervistimit, u liruan në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.

Në Vushtrri është arrestuar një person që kishte shtënë disa herë me armë zjarri. Autoritetet sekuestruan një pistoletë dhe dy gëzhoja. Edhe ky rast po procedohet në procedurë të rregullt.

Në Lipjan, policia ndaloi një të dyshuar nga i cili u sekuestrua një armë automatike AK-47 dhe 18 gëzhoja. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Janjevë, një person është shoqëruar në stacionin policor për të shtëna me një pistoletë me gaz, e cila u sekuestrua. I dyshuari u lirua pas procedurave fillestare, ndërsa rasti do të ndiqet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka apeluar që qytetarët të shmangin përdorimin e armëve në ahengje, duke kujtuar se kjo përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button