Gazment Bardhi në Roskovec: “Bujqësia, prioritet kombëtar në planin 100 ditor të PD-së”

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, zhvilloi një vizitë në fshatrat e bashkisë Roskovec, ku u takua me fermerë dhe banorë të zonës për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre. Gjatë ndalesës në fshatin Suk, në serën e fermerit Ilir Ruko, Bardhi foli për sfidat që përballen komunitetet rurale dhe theksoi se mbështetja për fermerët është një nga shtyllat kryesore të programit të PD-së.
Sipas tij, Partia Demokratike ka hartuar një plan emergjence 100-ditor, ku bujqësia zë një vend të veçantë si prioritet kombëtar. “Ne kemi marrë 10 shqetësimet kryesore që kanë njerëzit dhe nuk kemi premtuar zgjidhje për gjithçka, sepse kjo nuk është realiste për një mandat. Kemi zgjedhur të fokusohemi në çështjet më të mprehta, dhe bujqësia është ndër to”, u shpreh Bardhi.
Ai tha se mbështetja për fermerët përfshin fonde të dedikuara dhe lehtësira të menjëhershme që synojnë nxjerrjen e një pjese të madhe të popullsisë rurale nga varfëria.
Fermerët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me konkurrencën e padrejtë që ka sjellë projekti “Open Balkan” dhe braktisjen masive të fshatit nga të rinjtë. “Neve na mori më qafë edhe ky Open Ballkan. Nuk konkurojmë dot me serbin, me maqedonasin. Këtu nuk ka mbetur këmbë njeriu. Kam 5 nipër e mbesa dhe asnjëri nuk është në shtëpi”, u shpreh Ilir Ruko.
Në këtë vizitë, Bardhi shoqërohej edhe nga kandidati i PD-së për deputet në këtë zonë, Pelivan Bufi, i cili u angazhua për të qenë zëri i fermerëve dhe banorëve të zonës në Kuvend.