Lajme

Gazment Bardhi në Fier: “11 Maji, një vendim për ekonominë e çdo familjeje – Më pak taksa, më shumë të ardhura”

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, gjatë një vizite në qytetin e Fierit, e cilësoi datën 11 maj si një moment vendimtar për të ardhmen ekonomike të vendit dhe familjeve shqiptare.

I shoqëruar nga kandidati për kryetar bashkie, Gentian Koçi, Bardhi zhvilloi një takim me punonjës dhe drejtues të fasonerisë “ALITEX”, një nga bizneset më të goditura nga rënia e euros, rritja e taksave dhe ulja e fitimeve.

“Me qeverisjen e Partisë Demokratike, si bizneset ashtu edhe punonjësit do të kenë më shumë fitime. Taksa e sheshtë do të zbresë në 10%, nga 23%, 20% apo 15% që aplikohet sot, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e ekonomisë familjare”, u shpreh Bardhi në një postim në Facebook.

Ai theksoi gjithashtu se ulja e çmimit të energjisë si për bizneset ashtu edhe për familjet është një tjetër masë që do të sjellë lehtësim të jetesës dhe më shumë kursime për qytetarët.

“Ne vendosim nëse do të vazhdojmë me këtë zvarritje të pashpresë apo nëse do të bëjmë ndryshimin për më shumë punë, më shumë të ardhura, më pak taksa”, shtoi Bardhi, duke i bërë thirrje qytetarëve të Fierit të votojnë Partinë Demokratike më 11 maj, në mbështetje të alternativës së ndryshimit.

Sipas tij, çdo votë është e rëndësishme për të garantuar një të ardhme më të mirë ekonomike për të gjithë shqiptarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button