Garancitë e sigurisë për Ukrainën në qendër të debatit: SHBA premton mbështetje, Berlini heziton për detajet

Debati mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën po merr gjithnjë e më shumë vrull. Një pikë kyçe e konsultimeve në Shtëpinë e Bardhë ishte mbrojtja e Ukrainës gjatë një procesi të mundshëm paqeje me Rusinë.
Pas takimit në Uashington, liderët e BE-së zhvilluan një samit virtual për të diskutuar opsionet e mbrojtjes në rast të një marrëveshjeje paqeje. Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, tha se është koha për të përshpejtuar përpjekjet dhe për të zbatuar garanci të ngjashme me mbrojtjen që parashikon Neni 5 i Traktatit të NATO-s. Ai paralajmëroi se deri në fund të kësaj jave, shtetet e Koalicionit të të Gatshmëve, të udhëhequra nga Britania e Madhe dhe Franca, do të konkretizojnë planin në bashkëpunim me SHBA-në.
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se SHBA është e gatshme të mbështesë këto garanci sigurie, por pa dhënë detaje konkrete. Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se ndihma e Uashingtonit mund të kufizohet tek mbështetja ajrore për forcat paqeruajtëse evropiane, duke përjashtuar përsëri mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë.
Edhe Berlini ka sinjalizuar gatishmëri për pjesëmarrje, por pa specifikuar kontributin. “Vendimi konkret do të merret vetëm pasi të arrihet një marrëveshje e qartë mbi kuadrin e përgjithshëm”, thanë burime qeveritare gjermane. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius theksoi se Gjermania po punon intensivisht për garanci të besueshme sigurie, duke marrë në konsideratë ecurinë e negociatave dhe koordinimin me SHBA-në dhe partnerët kryesorë evropianë.