Ganimete Musliu reagim të ashpër ndaj Vetëvendosjes: “FSK-ja nuk është ndërtuar me statusa në Facebook”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Vetëvendosjes lidhur me angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit. Ajo ka theksuar se FSK-ja është institucion i gjithë Kosovës dhe nuk duhet të keqpërdoret për qëllime politike.
“FSK-ja është e Kosovës, jo e partive,” ka shkruar Musliu në një postim në rrjetet sociale, duke kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë dhe përdorimin, sipas saj, politik të një situate tragjike.
Musliu ka theksuar se heroizmi i ushtarëve nuk guxon të përdoret për të mbuluar “paaftësinë qeverisëse”, duke shtuar se në vend të respektit për jetën e humbur, po shfaqet mosrespekt ndaj të ndjerit dhe familjes së tij.
“Në krejt këtë maskaradë, po na intereson veç një gjë: Ku e morën këta këtë ushtri, kur thonë që kur erdhën në pushtet e gjetën Kosovën të shkatërruar? A thua FSK-në e gjetën në ndonjë pako Smoki?”, ka shkruar ajo me tone ironike.
Musliu thekson se FSK-ja është ndërtuar me mund, sakrificë dhe përkushtim nga breza të tërë dhe nuk është produkt i asnjë statusi në Facebook.
“FSK ka dalë nga gjaku i bijave dhe bijëve më të mirë të Kosovës! Respekt për ushtarët tanë! Turp për ata që po i shfrytëzojnë për PR politik,” ka përfunduar ajo.