IPK zbulon mospërputhje dhe dyshime për abuzim me gjobat e trafikut – kërkon ndërhyrje urgjente

Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) ka zhvilluar një inspektim të jashtëzakonshëm në fushën e “Përdorimit të teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik”, pas dyshimeve se zyrtarët policorë nuk po i gjobisin siç duhet kundërvajtësit në rrugë.
Ky inspektim ad hoc kishte për qëllim të analizojë përdorimin e pajisjeve digjitale për matjen e shpejtësisë dhe të verifikojë nëse njësitë e trafikut janë të ekspozuara ndaj abuzimeve gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Sipas IPK-së, ai ka shërbyer edhe për të vlerësuar efektivitetin e përdorimit të këtyre teknologjive dhe për të hetuar mospërputhjet mes të dhënave të radarëve dhe gjobave të shqiptuara.
Raporti i IPK-së është përqendruar në katër objektiva kryesorë:
- Identifikimin e teknologjive për matjen e shpejtësisë,
- Vlerësimin e përdorimit racional të pajisjeve në situata të rrezikshme,
- Krahasimin e numrit të matjeve të shpejtësisë me numrin e gjobave,
- Zbulimin e mundësive për abuzim gjatë shqiptimit të gjobave.
Nga analiza e 84 mostrave, janë evidentuar katër lloje mospërputhjesh:
- Në 55 raste, shpejtësia e gjobës ishte më e ulët se ajo e regjistruar nga radari,
- Në 23 raste, kufizimi i shpejtësisë në radar nuk përputhej me atë në gjobë,
- Në 3 raste, lloji i shkeljes në gjobë nuk përputhej me atë të radarit,
- Po ashtu, në 3 raste të tjera, gjobat ishin lëshuar mbi baza të gabuara ligjore.
Për të adresuar këto probleme, IPK ka rekomanduar:
- Hartimin e një udhëzuesi të qartë për përdorimin e pajisjeve,
- Trajnime shtesë për zyrtarët policorë,
- Forcimin e kontrolleve për saktësinë e të dhënave,
- Parandalimin e praktikave të dëmshme në shqiptimin e gjobave,
- Përdorim më efektiv të automjeteve inteligjente,
- Monitorim dhe administrim të procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara,
- Printimin e gjobave në vendin e ngjarjes.
Raporti thekson nevojën urgjente për ndërhyrje strukturore dhe rritje të transparencës në kontrollin e trafikut rrugor në Kosovë.