Fushata zgjedhore bllokon buxhetet komunale – 11 komuna rrezikojnë kolaps financiar

Ndërsa e gjithë vëmendja është përqendruar në fushatën zgjedhore, 11 komuna të Kosovës ende nuk kanë miratuar buxhetet e tyre për vitin e ardhshëm. Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, i cili paralajmëron pasoja serioze nëse situata nuk zgjidhet me kohë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi tha se komunat kishin afat ligjor deri më 30 shtator për miratimin e buxheteve komunale, por procesi është vonuar për shkak të fushatës zgjedhore.
“11 komuna nuk kanë arritur t’i miratojnë projektbuxhetet brenda afatit ligjor. Arsyeja kryesore është se shtatori përkoi me fushatën parazgjedhore, ndërkohë që institucionet komunale ishin të përfshira në procesin zgjedhor”, tha Ibrahimi.
Ai theksoi se AKK i është drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesë që komunave t’u lejohet miratimi i buxheteve pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga niveli qendror.
Sipas tij, situata aktuale politike dhe mosfunksionimi i institucioneve qendrore mund të çojnë në vonesa të mëtejshme, duke rrezikuar edhe miratimin e buxhetit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
“Nëse nuk kemi buxhet të miratuar në nivel qendror, atëherë automatikisht edhe komunat mbesin pa buxhete. Kjo nënkupton mungesë investimesh, vonesa në paga për shërbimin civil, mosshpërndarje të pensioneve dhe ndihmave sociale”, paralajmëroi ai.
Ibrahimi shtoi se në mungesë të një zgjidhjeje, vendi mund të përballet me kolaps financiar, duke e cilësuar situatën si një alarm serioz për funksionimin e shtetit.
“Nëse nuk respektohen afatet ligjore të përcaktuara me Ligjin e Financave Publike, shteti ynë rrezikon të hyjë në një kolaps financiar të plotë,” përfundoi ai.



