Kosova

KQZ certifikon Listën Votuese për balotazhin e 9 nëntorit – 18 komuna shkojnë në raundin e dytë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot Listën Votuese për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Sipas vendimit të KQZ-së, balotazhi do të zhvillohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamusha dhe Kllokot.

Në këto komuna, sipas listës së certifikuar, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1,346,397, që është për 543 votues më shumë se në raundin e parë të mbajtur më 12 tetor. Prej tyre, 1,316,672 janë votues brenda vendit, ndërsa 29,725 janë votues nga diaspora që do të votojnë me postë.

KQZ njoftoi se lista është përditësuar me personat që arrijnë moshën e votimit deri më 9 nëntor, ndërsa janë larguar ata që kanë hequr dorë nga shtetësia ose kanë ndërruar jetë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, përfshirë edhe qendrat për votimin me kusht dhe për persona me nevoja të veçanta.

Po ashtu, KQZ ka miratuar vendimin për shtypjen e 1,158,015 fletëvotimeve, që është rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote. Ky numër përfshin fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin me postë dhe rezervat.

KQZ theksoi se të gjitha përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe procesi do të zhvillohet në përputhje me rregullat zgjedhore në fuqi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button