Sport

Furlani konfirmon besimin te Conceisao dhe paralajmëron merkato të përgatitur: “Milani nuk varet nga një person”

Para sfidës ndaj Bolognas, shefi ekzekutiv i Milanit, Giorgio Furlani, foli për “Sky” duke bërë një bilanc të sezonit aktual dhe dhënë sinjale për të ardhmen e klubit, përfshirë merkaton, drejtimin teknik dhe strukturën e klubit.

Në qendër të deklaratave të tij ishte trajneri Sergio Conceisao, për të cilin Furlani shprehu mbështetje të plotë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e qëndrimit të portugezit për sezonin e ardhshëm:
“Që kur ka ardhur Sergio, ai ka fituar një trofe. Të mërkurën mund të bëhet trajneri i parë i Milanit, pas Ancelottit, që fiton dy trofe në një sezon. Kemi besim të plotë tek ai”, u shpreh Furlani, duke shtuar se fokusi momentalisht mbetet te ndeshja e radhës.

Megjithatë, drejtori i kuqezinjve nuk nguroi të pranojë zhgënjimin për një sezon poshtë pritshmërive, veçanërisht për mungesën në Ligën e Kampionëve:
“Si tifoz, nuk jam i kënaqur. Pas një sezoni të tillë, nuk ka vetëm një fajtor, por shumë arsye. Do të përpiqemi të rikthehemi sa më shpejt aty ku na takon, në Ligën e Kampionëve”, tha ai.

Lidhur me drejtimin sportiv, Furlani konfirmoi se klubi është ende në proces vlerësimi për emërimin e një drejtori të ri sportiv, por theksoi se nuk do të ketë nxitim:
“Nuk duam të veprojmë me ngut. Do të zgjedhim personin e duhur, kur të vijë momenti i duhur”, theksoi ai.

Në fund, një mesazh qetësues për tifozët sa i përket merkatos së verës:
“Merkatoja nuk fillon më 1 qershor, ne kemi punuar prej kohësh. Klubi është i përgatitur. Aktorët mund të ndryshojnë, por Milani nuk varet nga një person i vetëm”, përfundoi Furlani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button