Kosova

FSK zhvillon stërvitje me mortaja në Biza të Shqipërisë

Pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) po zhvillojnë një stërvitje të specializuar në Biza të Shqipërisë, e fokusuar në gjuajtje taktike me mortaja, në përputhje me planet e trajnimit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë së Ushtrisë së SHBA-së (SATMO) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit të FSK-së, stërvitja ka për qëllim rritjen e gatishmërisë operative dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal mes forcave të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Aktiviteti përfshin pjesën teorike dhe praktike dhe është fokusuar në tri fusha kryesore: trajnimin me mortaja, kursin për udhëheqës të këmbësorisë dhe mortajave, si dhe trajnim për vëzhguesit e përparëm.

Gjatë stërvitjes, pjesëmarrësit janë trajnuar në përdorimin e sigurt të mortajave, shënjestrimin, gjuajtjen, koordinimin dhe komunikimin midis njësive taktike dhe elementeve të zjarrit. Trajnimi gjithashtu përfshiu shkëmbim përvojash dhe praktikash më të mira me trajnerët dhe këshilltarët ndërkombëtarë.

FSK thekson se ky bashkëpunim ndërkombëtar forcon kapacitetet profesionale të forcave të sigurisë dhe kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button