FSHF dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi firmosin marrëveshje për futboll gjithëpërfshirës

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi, me synimin për të promovuar një futboll gjithëpërfshirës, që respekton të drejtat e njeriut dhe kontribuon në edukimin shoqëror.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.
Në fjalën e tij, Shulku e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një ambienti të sigurt dhe pa diskriminim në futbollin shqiptar. “Kjo marrëveshje synon një qasje të koordinuar, të bazuar në edukim, masa ligjore, përfshirje komunitare dhe partneritete ndërkombëtare. Ne duam të ndërtojmë një klimë sportive ku mbizotërojnë respekti, barazia dhe të drejtat e njeriut”, tha ai.
Shulku theksoi se bashkëpunimi me Komisionerin do të përfshijë edhe kontributin në hartimin e ndryshimeve ligjore në fushat me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, Komisioneri Robert Gajda nënvizoi rolin e rëndësishëm të sportit në dhënien e mesazheve kundër urrejtjes. “Futbolli ka një ndikim të madh dhe duhet të jetë një mjet për të promovuar vlerat më të mira. Jemi të përkushtuar të punojmë krah për krah me FSHF-në për të siguruar që sporti të jetë një hapësirë e hapur për të gjithë, pa përjashtim dhe pa gjuhë urrejtjeje,” u shpreh Gajda.
Marrëveshja e firmosur sot pritet të sjellë iniciativa konkrete për ndërgjegjësimin, edukimin dhe parandalimin e diskriminimit në sport, si dhe të forcojë partneritetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për një futboll më gjithëpërfshirës.