Berisha: Ministri i Brendshëm, “ylli i burgut” – 99% e të burgosurve votuan për PS, kjo është Koreja e Veriut!

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë në një konferencë për mediat, ku pretendoi se në burgje është regjistruar një votim masiv në favor të Partisë Socialiste, duke përmendur veçanërisht ministrin e Brendshëm dhe deputeten Ermonela Felaj.
“Ministri i Brendshëm votohet në burg si ylli i burgut. 99 përqind e të burgosurve votojnë për PS-në. Rroftë partia që na burgosi,” u shpreh Berisha me ironi, duke e quajtur këtë situatë të ngjashme me atë të Koresë së Veriut.
Sipas tij, këto janë zgjedhjet më të grabitura ndonjëherë dhe përbëjnë një alarm për demokracinë në vend. “Kjo duhet të jetë temë në të gjitha studiot. A ka vend tjetër në botë ku votohet ministri i Brendshëm përveçse në Shqipëri?”, shtoi Berisha.
Ai akuzoi qeverinë dhe grupe të strukturuara kriminale se po kthejnë krimin në votë dhe votën në krim. “Sa më shumë vjedhin Edi Rama me grupin e tij, aq më i fortë bëhet rezultati,” theksoi ai.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin në protestë për të mbrojtur votën dhe demokracinë, duke e cilësuar betejën për votën si “betejë absolute dhe fitimtare”.
Këto deklarata vijnë pas përfundimit të procesit zgjedhor, i cili është shoqëruar me tensione politike dhe akuza për parregullsi nga opozita.