Fshehtësia e votës në rrezik – Partia e Lirisë ngre alarmin për manipulim të votës në diasporë

Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin për cënimin e fshehtësisë së votës në procesin zgjedhor, pas publikimit të disa materialeve filmike dhe fotografive që tregojnë fletë votimi të plotësuara nga votues në diasporë. Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, e konsideroi këtë fenomen si një rrezik serioz për integritetin e zgjedhjeve dhe përfaqësimin e drejtë të diasporës shqiptare.
“Fshehtësia e votës është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe një e drejtë e garantuar me Kushtetutë,” u shpreh Merja. Sipas saj, publikimi i fletëve të votimit jo vetëm që cënon këtë parim thelbësor, por hap rrugë për ndikime politike, presione dhe manipulime të vullnetit qytetar.
Merja i bëri thirrje autoriteteve përkatëse, veçanërisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të ndërhyjnë menjëherë dhe të marrin masa konkrete për të garantuar ruajtjen e fshehtësisë së votës në çdo hap të procesit.
Ajo apeloi gjithashtu qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij akti demokratik dhe të mos bien pre e veprimeve që dëmtojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Duke theksuar rëndësinë e votës së diasporës në zgjedhjet e 11 majit, Merja u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që të marrin pjesë masivisht në votime. Ajo përfundoi deklaratën duke ftuar qytetarët të mbështesin Koalicionin “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, duke votuar numrin 1 në fletën e votimit.