
Përfundimit e Samitit të Komunitetit Politik Europian i prezantoi kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen.
Samiti i Komunitetit Politik Europian përfundoi me mesazhin e qartë se Europa duhet të riarmatoset përballë kërcënimit të Vladimir Putin. Përfundimet u prezantuan në një konferencë për shtyp nga kreu i qeverisë Edi Rama me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cila do të presë vitin e ardhshëm të njëjtin samit.
Kryeministri Rama tha se janë dakordësuar që të investojmë më shumë në disa fusha, si edhe për një skuadër bashkërenduese të KPE nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Europian.
“Për t’i mbajtur fort bashkë vlerat e parimet që udhëheqin shoqëritë tona, për të bërë gjithçka kemi në mundur për të mbrojtur vlerat dhe parimet tona të mishëruara në shoqëritë tona, duke mbrojtur vendet tona, qytetarët tanë dhe të ardhmen tonë. Ndërkohë diskutuam edhe si do të ecim më tej. Diskutuam për të investuar më shumë në iniciativa, në ato fushatat europiane që i përkasin këtij komuniteti politik dhe në ato vende që nuk i përkasin ende BE dhe që nuk do t’i përkasin ndonjëherë. Dita ka qenë e frytshme, patëm një sërë tryezash të rrumbullakëta, një seri temash diskutimi. Patëm përfundime shumë interesante që do të çohen më tej nga danezët. Ndërkohë vendosëm që do të kemi një skuadër bashkërenduese të KPE nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Europian. Kjo është një sintezë e përgjithshme të asaj çfarë bëmë sot”, tha Rama.
Duke e konsideruar Rusinë një kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Europën, Frederiksen tha se rimarmatimi duhet të jetë prioriteti numër 1.
“Rusia është kërcënim i madh jo vetëm për Ukrainën, por i të gjithëve ne për shkak të sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Ata po përpiqen të shkatërrojnë demokracinë. Riarmatimi duhet të jetë prioriteti numër 1 i yni. Në rast se ne nuk jemi të gatshëm të mbrojmë njëri-tjetrin, si mund të ndihmojmë të tjerët”, tha Frederiksen.
Të njëjtin qëndrim e ndau edhe kryeministri Rama, i cili tha se BE duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen, ndërsa në raport me Amerikën ndau këtë qëndrim.
“Një pyetje që duhet ta bëjmë pse duhej pritur Donald Trump që të vinte dhe të merrte në konsideratë armëpushimin dhe paqen ndoshta se ne ishim shumë të përqendruar dhe mjaft të apasionuar pas një kauze shumë të drejtë të duhur, por nga ana tjetër humbëm ca terren kur vjen fjala për diplomacinë”, tha Rama.