Flutura Kusari ankohet në Prokurorinë e Apelit: Akuzon Mentor Llugaliun për ngacmim të vazhdueshëm

Juristja e njohur për të drejtën e medias, Flutura Kusari, ka njoftuar se ka ushtruar ankesë në Prokurorinë e Apelit kundër vendimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila kishte hedhur poshtë kallëzimin e saj penal ndaj Mentor Llugaliut.
Sipas Kusarit, hedhja poshtë e kallëzimit ka bërë që Llugaliu të ndjehet i trimëruar dhe të vazhdojë ngacmimin ndaj saj.
Ajo thekson dy arsye kryesore në ankesën e saj:
Gabim në interpretimin e komunikimit direkt – Kusari thotë se Prokuroria ka vlerësuar gabimisht se për të vërtetuar një rast ngacmimi kërkohet komunikim i drejtpërdrejtë. Ajo ka bashkëngjitur në ankesë dhjetëra aktakuza për raste të ngjashme të ngacmimeve përmes postimeve online, të cilat kanë rezultuar me aktgjykime dënuese – edhe pa pasur kontakt direkt mes palëve.
Përmbajtja e postimeve nuk lidhet me angazhimin e saj shoqëror – Kusari kundërshton vlerësimin e Prokurorisë Themelore se postimet e të pandehurit lidhen me pozitën dhe angazhimin e saj në shoqëri. Ajo pohon se asnjëri nga 101 postimet e publikuara nga Llugaliu nuk përmban koment, kritikë apo kundërshtim lidhur me kauzat në të cilat ajo angazhohet.
“Prokuroria ka dështuar të japë qoftë edhe një shembull nga ato postime për të argumentuar pretendimin e saj, sepse një postim i tillë nuk ekziston,” ka shkruar Kusari.
Rasti pritet të trajtohet tashmë në nivelin e Apelit, ndërkohë që reagimi i saj ka ngjallur diskutime për mbrojtjen ligjore ndaj ngacmimeve në hapësirën digjitale.