Fluksi i lartë në kufi për shkak të Pashkëve – mijëra qytetarë kalojnë nga Greqia drejt Shqipërisë

Festa e Pashkëve ka sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare me Greqinë. Autoritetet kufitare kanë marrë masa shtesë për përballimin e situatës, ndërsa janë publikuar edhe shifrat e qarkullimit të 24 orëve të fundit.
PKK Kakavijë – mbi 10 mijë qytetarë në 24 orë
Më datë 17 prill 2025, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës janë përpunuar gjithsej 10,700 shtetas në hyrje dhe dalje. Prej tyre, 7,740 kanë hyrë në Shqipëri dhe 2,960 kanë dalë. Po ashtu, janë përpunuar 3,656 mjete, nga të cilat 2,796 në hyrje dhe 860 në dalje.
Për të përballuar këtë fluks, pala shqiptare po punon me 4 sportele në hyrje dhe 3 në dalje. Ndërkohë, pala greke është duke punuar me 2 sportele në dalje dhe vetëm një në hyrje, gjë që po shkakton vonesa në qarkullim.
Kapshticë – mbi 10 mijë udhëtarë në një ditë
Edhe në pikën kufitare të Kapshticës është regjistruar një fluks i lartë udhëtarësh. Gjatë 24 orëve të fundit, nga kjo pikë kanë kaluar gjithsej 10,478 shtetas. Sipas të dhënave zyrtare, 7,921 qytetarë kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 2,557 kanë dalë.
Autoritetet raportojnë se fluksi më i madh është regjistruar gjatë pasdites së së enjtes, dhe lëvizjet pritet të mbeten të larta edhe gjatë ditës së sotme, për shkak të festimeve të Pashkëve.
Policia kufitare vijon të apelojë për durim dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa garanton angazhim maksimal për të lehtësuar qarkullimin në të gjitha pikat kufitare.