Lajme
Kryesore

Banorët e Tropojës dhe Hasit protestojnë për rrugën e Qafë Prushit: Kërcënojnë me bojkot zgjedhjesh

Banorët e dhjetëra fshatrave të Tropojës dhe Hasit janë ngritur sërish në protestë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për përmirësimin e rrugës Kam-Qafë Prush, e cila ndodhet në gjendje të mjerueshme dhe u ka shkaktuar vështirësi të mëdha, veçanërisht gjatë muajve të dimrit kur bëhet pothuajse e pakalueshme.

Banorët e fshatrave Zogaj, Kepenek dhe Kam u mblodhën para bashkisë së Tropojës për të ngritur zërin kundër neglizhencës së institucioneve. Ata theksojnë se kjo rrugë, me gjatësi pak më shumë se 25 kilometra, nuk ka njohur asnjë investim që nga ndërtimi i saj në kohën e pushtimit italian.

“Është e vetmja rrugë në të dy bashkitë pa asnjë lloj ndërhyrjeje apo investimi. Jemi totalisht të izoluar nga pjesa tjetër e vendit dhe e Kosovës”, thanë protestuesit. Ata kërkojnë që shteti të reagojë menjëherë, në mënyrë që të lidhen me zonat e banuara përreth si Krumë dhe B.Curr, qendrat e bashkive përkatëse.

Në një akt simbolik, protestuesit bllokuan rrugën që lidh doganën e Qafë Prushit me Hasin, duke paralajmëruar se nëse nuk do të merren masa konkrete, do të përshkallëzojnë protestën deri në bojkot të zgjedhjeve të 11 majit.

Pavarësisht se zona është e pasur me krom dhe Shqipëria ka përfituar me miliarda dollarë nga shfrytëzimi i tij që nga viti 1939, banorët theksojnë se kjo mbetet një ndër zonat më të varfra të veriut të vendit. Ata shprehen të zhgënjyer nga të gjitha qeveritë ndër vite që, sipas tyre, nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje.

Pas zgjedhjeve, banorët paralajmërojnë bllokim total të rrugëve nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të injorohen.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button