Lajme

Flamur Noka në Paskuqan: PD ka rrugën për realizimin e premtimeve ekonomike – Sekuestro pasurish dhe luftë kundër korrupsionit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka zhvilluar një takim me qytetarët në Paskuqan, ku ka reaguar ndaj skepticizmit për realizimin e programit ekonomik të PD-së dhe paketës së dhembshurisë. Ai theksoi se “është koha për ndryshim”, duke ritheksuar angazhimin e kësaj force politike për rimëkëmbjen ekonomike dhe një qeverisje më të ndershme dhe përgjegjëse.

Në fjalimin e tij, Noka u shpreh se burimet për zbatimin e premtimeve të Partisë Demokratike do të vijnë përmes një politike me “zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit” dhe “sekuestrimit të pasurive të të korruptuarve”.

“Zero tolerancë krimit, korrupsionit, sekuestro të gjithë pasurive të të kusarëve të pushtetit – aty dalin pensionet, rrogat, minimum jetik, investimet,” deklaroi Noka, duke kritikuar ashpër qeverinë aktuale dhe kryeministrin Edi Rama për atë që e cilësoi si bashkëqeverisje me krimin dhe oligarkët.

Noka premtoi rritje të ndjeshme të përfitimeve sociale dhe ekonomike për qytetarët: minimum jetik prej 200 euro, rrogë minimale prej 500 euro dhe mesatare prej 1200 euro, si dhe ulje të çmimeve të energjisë dhe naftës, trefishim të subvencioneve për bujqësinë dhe rritje të buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë.

Sipas tij, këto premtime janë të realizueshme nëse vendi drejtohet nga një qeveri që ndëshkon korrupsionin dhe mbështet qytetarin e thjeshtë:
“Qeveria e Sali Berishës do të jetë një qeveri e zemrës së dhembshur, që do të merret me pensionistin dhe të papunin për t’i ruajtur dinjitetin.”

Flamur Noka përfundoi fjalën duke bërë thirrje për ndryshim dhe votë për Partinë Demokratike, si e vetmja alternativë për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin te qytetari shqiptar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button