Lajme

Arrestohet 42-vjeçari në Librazhd, qëlloi me armë gjahu në ajër pas një konflikti për pronësinë

Një ngjarje e rrezikshme u parandalua në kohë nga Policia në fshatin Gizavesht të Librazhdit, ku një 42-vjeçar u arrestua në flagrancë pasi qëlloi me armë gjahu në ajër për të kanosur fqinjin e tij, pas një konflikti për motive pronësie.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd shkuan në vendngjarje dhe ndërhynë duke shmangur një situatë që mund të përshkallëzonte në një krim. Si rezultat, u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. Xh., 42 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti kishte ndodhur mes tij dhe fqinjit të tij, 80-vjeçarit H. Xh., dhe gjatë debatit, S. Xh. kishte qëlluar në ajër me një armë gjahu, që e mbante pa leje, për ta frikësuar atë. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.

Policia sekuestroi armën e gjahut dhe një sasi municioni luftarak, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button