FIFA gjobit FSHF-në për sjellje diskriminuese të tifozëve ndaj Andorrës

FIFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) pas sjelljes diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Andorrës, e zhvilluar më 24 mars 2025 në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Komisioni Disiplinor i FIFA-s e ka konsideruar të papranueshme sjelljen e tifozëve dhe ka vendosur të ndëshkojë FSHF-në me një gjobë prej 20 mijë frangash zvicerane. Gjithashtu, është urdhëruar mbyllja e të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me theks të veçantë në tribunat pas portave.
Sipas vendimit, hapësira e bllokuar mund të shfrytëzohet për të pritur grupe komunitare apo organizata kundër diskriminimit, me miratimin paraprak të FIFA-s. Ndërkohë, brenda një afati 6-mujor, FSHF duhet të përgatisë dhe paraqesë një plan të përmirësuar kundër diskriminimit, i cili duhet të miratohet nga organi qeverisës i futbollit botëror.
Në një reagim zyrtar, FSHF u bën thirrje tifozëve kuqezi të vazhdojnë mbështetjen ndaj Kombëtares me qytetari, respekt dhe sjellje të denjë, duke krijuar një atmosferë pozitive që nuk dëmton imazhin dhe interesat e ekipit kombëtar.
Federata deklaron se është në pritje të udhëzimeve të mëtejshme nga FIFA për mënyrën e zbatimit të vendimit.