Fabio Capello: Juventusi nuk është ende në nivelin e Napolit dhe Interit, por Spalletti mund t’i rikthejë në garë për titull

Ish-trajneri i Juventusit, Fabio Capello, ka shprehur dyshimet e tij lidhur me mundësitë e “Zonjës së Vjetër” për të luftuar për titullin e Serie A këtë sezon, pas emërimit të trajnerit të ri, Luciano Spalletti.
Capello tha për Gazzetta dello Sport se Napoli dhe Interi mbeten skuadrat kryesore për Skudeton, ndërsa për Juventusin objektivi më i rëndësishëm mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, ai shtoi se nëse bardhezinjtë arrijnë të rivalizojnë për titull, merita do t’i takojë Spallettit si një trajner i madh dhe motivues.
Spalletti u prezantua të premten pas shkarkimit të Igor Tudorit, pas një periudhe të vështirë me tre humbje radhazi dhe tetë ndeshje pa fitore. Capello vlerëson se sfida për trajnerin e ri nuk është e lehtë: “Të kesh ndikim efektiv nga e mërkura në të shtunë nuk është aspak e lehtë për një trajner. Është një detyrë e vështirë dhe duhet kuptuar nëse rezultatet janë të përkohshme apo të qëndrueshme.”
Në lidhje me merkaton e janarit, Capello sugjeron që Juventusi të mos harxhojë para për “zgjidhje të shpejta”, por të synojë përforcime të qëndrueshme dhe të vërteta.
Spalletti ka nënshkruar një kontratë tetëmujore, me opsion për ta zgjatur deri në vitin 2027, pavarësisht nëse arrin të kualifikohet për Ligën e Kampionëve.



