Bota

Evropa përfshihet nga vala ekstreme e të nxehtit: Rekorde temperaturash dhe alarm shëndetësor në disa shtete

Një valë ekstreme e të nxehtit ka kapluar një pjesë të madhe të kontinentit evropian, duke vendosur rekorde të reja temperaturash dhe duke shkaktuar alarm shëndetësor në shumë shtete.

Në Spanjën jugore, temperaturat kanë tejkaluar 40°C, ndërsa në qytetin El Granado të shtunën u shënua një temperaturë prej 46°C – rekordi më i lartë ndonjëherë për muajin qershor. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Spanjës, ky pritet të jetë qershori më i nxehtë që nga fillimi i matjeve.

Situatë kritike është raportuar edhe në Portugali, Itali dhe Kroaci, ku janë dhënë paralajmërime për vapë ekstreme. Alarme të kuqe janë lëshuar edhe në Francë, Austri, Belgjikë, Bosnjë e Hercegovinë, Hungari, Serbi, Slloveni dhe Zvicër.

Tragjedi është shënuar në Barcelonë, ku një pastruese rrugësh ndërroi jetë në një nga ditët më të nxehta të javës. Autoritetet po hetojnë nëse vdekja lidhet me goditjen nga i nxehti.

Në Itali, spitalet janë nën presion për shkak të shtimit të rasteve me goditje nga të nxehtit, sidomos tek të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike. Po ashtu, në Ballkanin Perëndimor, temperaturat kanë kapur nivele rekord. Serbia ka regjistruar temperaturën më të lartë që nga shekulli XIX, ndërsa në Maqedoninë e Veriut termometri ka shkuar në 42°C. Në Slloveni është regjistruar temperatura më e lartë e qershorit ndonjëherë.

Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet gjatë orëve të nxehta, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë shumë ujë për të parandaluar dehidratimin dhe rrezikun për jetën.

Vala e të nxehtit pritet të zgjasë edhe në ditët në vijim, duke e kthyer këtë verë në një nga më të rrezikshmet për shëndetin publik në dekadat e fundit në Evropë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button