Europa përfshihet nga një valë ekstreme të nxehti, shkak ngrohja globale dhe ndikimi i detit Mesdhe

Europa po përjeton një nga valët më të egra të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë, ndërsa një kombinim i valës detare të të nxehtit në Mesdhe dhe një “kupole të nxehtësisë” ka përfshirë kontinentin, duke çuar në temperatura rekord dhe kushte ekstreme atmosferike në disa vende.
Ky model, që po përsëritet gjithnjë e më shpesh për shkak të ngrohjes globale, po shkakton jo vetëm temperatura të larta në tokë, por edhe pasoja të rënda si përmbytje vdekjeprurëse dhe zjarre shkatërruese. Temperaturat e ngrohta të detit Mesdhe po rrisin lagështinë dhe po ndihmojnë në ruajtjen e temperaturave të larta edhe gjatë natës, duke përkeqësuar ndikimin tek popullata dhe mjedisi.
Vala e të nxehtit po ushqehet nga ajri i nxehtë që vjen nga Afrika dhe po përforcohet përmes një cikli reagimi me vetë të nxehtin detar. Spanja dhe Portugalia tashmë kanë shënuar temperatura rekord, ndërsa Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë përfshirë nga kushte ekstreme që po vazhdojnë deri në mesjavë.
Sipas Météo France, temperaturat në disa zona të Francës kanë kaluar 38°C, ndërsa është lëshuar një paralajmërim i kuq për 16 rajone të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Paris. Kulla Eiffel është mbyllur për vizitorët në majë për shkak të kushteve të papërshtatshme, ndërsa turistët janë këshilluar të shmangin qëndrimin në diell dhe të qëndrojnë të hidratuar.
Ndërkohë, edhe Mbretëria e Bashkuar po përjeton valën e saj të dytë të të nxehtit për këtë verë, me temperatura që kanë kaluar 32°C – një sfidë serioze për një vend ku vetëm një përqindje shumë e vogël e shtëpive ka ajër të kondicionuar.
Në Gjermani pritet që temperaturat të rriten edhe më tej në ditët në vijim, përpara se disa fronte të ftohta të hyjnë nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellë pak lehtësim.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se këto ngjarje ekstreme janë duke u bërë gjithnjë e më të shpeshta, intensive dhe të gjata për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Europa, sipas të dhënave të fundit, është kontinenti që po ngrohet më shpejt – madje dyfish më shpejt se pjesa tjetër e globit.
“Temperaturat që kemi parë kohët e fundit janë më tipike për korrikun dhe gushtin, jo për fillimin e verës”, tha Samantha Burgess nga Qendra Europiane për Parashikime Afatmesme të Motit. Sipas saj, miliona europianë po ekspozohen ndaj stresit të rrezikshëm nga nxehtësia, duke theksuar nevojën urgjente për veprime kundër ndryshimeve klimatike.