Euro prek nivelin më të ulët historik: Këmbehet me 97.3 lekë

Monedha europiane ka shënuar një tjetër rekord historik të rënies kundrejt lekut shqiptar në ditët e para të muajit gusht. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro është këmbyer sot me vetëm 97.3 lekë – niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Ndërkohë, gjatë fundjavës, në tregun informal vlera e euros ka zbritur edhe më poshtë, nën kufirin e 97 lekëve. Megjithatë, këto kursime nuk përfshihen në të dhënat zyrtare që publikohen vetëm në ditët e punës.
Sipas agjentëve të tregut, prurjet e mëdha valutore gjatë sezonit turistik janë faktori kryesor që po ushtron presion mbi euron, pavarësisht se numri i turistëve raportohet më i ulët se një vit më parë. Edhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë përmes blerjeve të valutës nuk po arrijnë të ndalin rënien.
Në korrik-gusht të vitit të kaluar, Banka kishte blerë 176 milionë euro, por edhe ato mjaftuan vetëm për ta mbajtur euron mbi nivelin 98 lekë. Për këtë vit, ende nuk janë publikuar të dhënat për volumet e ndërhyrjeve.
Nga ana tjetër, për tremujorin e parë 2025, deficiti i llogarisë korrente ra me 41%, duke arritur në 212 milionë euro. Kontributin kryesor e dha turizmi, me 295 milionë euro të ardhura neto – një rritje me 10.5% krahasuar me një vit më parë.
Në rënien e euros ndikojnë gjithashtu flukset e investimeve të huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, ato kapën vlerën e 104 milionë eurove, me një rritje prej 24%.
Së fundmi, edhe politika fiskale e qeverisë, me suficite buxhetore të qëndrueshme, po forcon pozitën e lekut. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, buxheti regjistroi suficit prej 33.1 miliardë lekësh, megjithëse 36% më pak se një vit më parë.
Rënia e euros po ndikon drejtpërdrejt në eksportuesit dhe ekonominë që varet nga të ardhurat në valutë, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e kësaj tendence edhe në muajt në vijim.