
Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, të organizuar nga kreu i PD-së, Sali Berisha, në Elbasan, mori fjalën edhe pedagogia Enxhi Turku.
Turku u shpreh se një shoqëri e lirë dhe demokratike e ka të domosdoshëm rotacionin, dhe për këtë arsye më 11 maj duhet të votojmë si njerëz të lirë për ndryshimin që të gjithë e duam.
Enxhi Turku:
“Jam këtu përpara jush, sepse kam pasur një nxitje të brendshme, që është forcuar më shumë gjatë javëve të fundit. Nuk mendoj që ka pasur ndonjëherë më shumë gjëra thelbësore që nuk shkojnë në realitetin tonë të përditshëm. Ka pasur një rënie dramatike në të gjitha fushat e jetës, një përçarje sociale që sa vjen e thellohet falë praktikave të partisë në pushtet.
Është një shoqëri ku mediokriteti, nënshtrimi dhe patronazhimi nxiten dhe shpërblehen, ndërsa liria e shprehjes dhe udhëheqja nga parimi përçmohen dhe ndëshkohen. Përmbysja e sistemit të vlerave po ndodh me një shpejtësi alarmante.
Shoqëri që tashmë nuk prodhon rini. Një shtet ku të paditurit drejtojnë të diturit. Patronazhistët drejtojnë të aftët, dhe ku të pamoralshmit drejtojnë të ndershmit. Kjo është këneta e vërtetë, që është krijuar gjatë më shumë se një dekade nga rilindja.
Vendi mbush erë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ky është rezultati i pashmangshëm i rikthimit në modelin parti-shtet, dhe, më keq akoma, i krimit të organizuar në kushtet e ekonomisë së tregut.
Elbasani sot është një qytet dhe një trevë më shumë se e varfër. Është një qytet ku shpirti i tij po vdes. Është një qytet ku edhe ata që nuk vuajnë nga varfëria duan të largohen, sepse nuk e shohin të ardhmen e tyre në këtë kënetë. Jo më kot, sot Elbasani është i famshëm si qyteti i inceneratorëve dhe qyteti i bandave.
Një shoqëri e lirë dhe demokratike e ka të domosdoshëm rotacionin. Përbëhet nga njerëz që e konceptojnë veten në kontroll të veprimeve të tyre dhe të jetës së tyre, dhe jo si viktima të rrethanave apo pengje të të tjerëve.
Nëse pretendojmë një realitet më të mirë, duhet të kontribuojmë për të krijuar atë realitet. Duhet të ndërmarrim secili një copëz përgjegjësie. Më 11 maj kemi vetëm një detyrë: Të paraqitemi masivisht në qendrat e votimit. Jemi vetëm ne dhe fleta e votimit, si njerëz të lirë që duhet të votojmë për ndryshimin që të gjithë e duam.”