Lajme

Emisari francez: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, prioritet për Francën

Dërguari i Posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e këtij rajoni mbetet një ndër prioritetet kryesore për politikën e jashtme franceze.

Në një intervistë për revistën serbe “CorD”, Troccaz theksoi se kjo ambicie është bërë edhe më urgjente për shkak të kërcënimeve që lidhen me paqëndrueshmërinë në kontinent, si pasojë e luftës në Ukrainë. Ai kërkoi që të intensifikohet puna për procesin e anëtarësimit dhe që BE-ja të qëndrojë e përkushtuar ndaj premtimeve të bëra në Samitin e Selanikut më 2003.

“Duhet të qëndrojmë besnikë ndaj angazhimit të bërë në Samitin Europian të Selanikut, i cili zyrtarisht hapi perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor,” u shpreh emisari francez.

Troccaz vuri në pah se jo të gjitha vendet e rajonit kanë ecur me të njëjtin ritëm në procesin integrues, duke theksuar nevojën për të kapërcyer tensionet që burojnë nga e kaluara.

“Ka dallime midis vendeve të Ballkanit. Disa kanë përparuar më shumë se të tjerat, por ajo që ka rëndësi është të ruhet ritmi dhe të mos largohemi nga kursi. Franca do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e partnerëve të saj dhe të inkurajojë reformat,” deklaroi ai.

Për lexuesit serbë, ai rikujtoi se BE-ja nuk është vetëm një treg ekonomik, por mbi të gjitha një projekt paqeje që lindi nga bashkëpunimi franko-gjerman në vitin 1957. Sipas tij, vendet e Ballkanit janë pjesë e natyrshme e kësaj familjeje.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë europiane. Ne jemi pjesë e të njëjtës familje, me dallimet tona kulturore që BE-ja i respekton. Vendi i tyre i natyrshëm është brenda Bashkimit Europian,” përfundoi Troccaz.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button