Emigrantët e radhës me urdhër dëbimi nga Italia drejt Gjadrit – Rritet shqetësimi ndërkombëtar për kushtet në kamp

Një tjetër grup emigrantësh pritet të niset së shpejti nga Italia drejt kampit të Gjadrit në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së firmosur më 6 nëntor 2023 mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe homologut shqiptar Edi Rama. Rreth 15 emigrantë janë identifikuar për t’u transferuar, pas ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria italiane në mars të vitit 2025.
Burime të Syri Tv raportojnë se edhe pse data e nisjes së tyre ende nuk është konfirmuar, autoritetet përkatëse dhe personeli shoqërues janë lajmëruar të jenë në gjendje gatishmërie.
Ndërkohë, shqetësimet për kushtet brenda kampit të Gjadrit po marrin vëmendje gjithnjë e më të madhe. Eurodeputetja Cecilia Strada dhe deputetja Rachele Scarpa kanë denoncuar se u është ndaluar hyrja për inspektim në kamp, duke theksuar mungesën e transparencës për fatin e 16 emigrantëve që rezultojnë të zhdukur. Sipas të dhënave të publikuara prej tyre, nga 41 emigrantë që mbërritën në Shqipëri më 11 prill, aktualisht në Gjadër ndodhen vetëm 25.
Alarmi shkon më tej me raportimin e 35 rasteve të vetëlëndimeve, përfshirë edhe tentativa për vetëvrasje, brenda kampit. Disa prej personave janë dërguar për trajtim në spitalin e Lezhës.
Komiteti për Parandalimin e Torturës pranë Këshillit të Europës ka bërë të ditur se së shpejti do të zhvillojë një mision inspektues në kampet e emigrantëve në Shqipëri. Presidenti i komitetit, Alan Mitchell, dhe sekretari ekzekutiv, Hugh Chetwyn, janë shprehur të shqetësuar për precedentët që mund të krijojë ky model kontraktimi, pasi vende të tjera europiane po konsiderojnë marrëveshje të ngjashme.
Edhe Amnesty International, në raportin e saj vjetor 2024-2025, ka ngritur alarmin mbi paktin Itali-Shqipëri, duke e cilësuar si një formë burgosjeje arbitrare që shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Situata në kampin e Gjadrit mbetet kritike, ndërsa presioni ndaj autoriteteve shqiptare dhe italiane për transparencë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut po rritet ndjeshëm.