Eliona Shkreli sulmon PS-në: “Pa vizion e program, vetëm propagandë dhe presion ndaj qytetarëve”

Kryetarja e Partisë Demokratike në Shkodër, Eliona Shkreli, ka akuzuar Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj për mungesë totale vizioni dhe programi qeverisës, duke përdorur, sipas saj, vetëm propagandën dhe manipulimin për të mashtruar qytetarët në prag të zgjedhjeve të 11 Majit.
Në një deklaratë për mediat, Shkreli u shpreh se PS po përpiqet të ndikojë te votuesit përmes investimeve të kryera gjatë fushatës zgjedhore, një veprim që, sipas saj, bie ndesh me kodin elektoral dhe përbën formë presioni ndaj qytetarëve.
“Partia Socialiste dhe kandidatët e saj nuk kanë asnjë vizion dhe asnjë program qeverisës. Të vetmin mjet kanë propagandën dhe manipulimin me të vërtetën”, u shpreh Shkreli. Ajo kritikoi ashpër edhe ish-nënkryetarin e Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, duke thënë se projektet që ai promovon sot janë miratuar në kohën kur bashkia drejtohej nga PD dhe nuk janë financuar kurrë nga qeveria socialiste.
“Bejleri, si një benjamin dhe besnik i Benet Becit, po përdor të njëjtat metoda presioni si lideri i tij Edi Rama”, tha Shkreli, duke shtuar se investimet që po promovohen janë vetëm fasadë dhe se PS ka lënë Shkodrën pa asnjë investim të vërtetë për shkak të hakmarrjes politike.
Ajo gjithashtu akuzoi socialistët për rritjen e taksave vendore dhe çmimit të ujit të pijshëm, duke theksuar se kjo ka rënduar ndjeshëm ekonominë e familjeve shkodrane.
“11 Maji do të jetë dita kur Benet Beci dhe filizat e tij do marrin përgjigjen e merituar, humbjen e thellë të propagandës së rrejshme”, përfundoi Shkreli.