Lajme

Ekstradohen katër shtetas të dënuar për narkotikë nga Greqia dhe Italia në Shqipëri

Policia e Shtetit ka bërë të ditur finalizimin e një operacioni të suksesshëm ndërkombëtar, në bashkëpunim me strukturat homologe të INTERPOL-it në Tiranë, Romë dhe Athinë, që çoi në ekstradimin e katër shtetasve të dënuar apo të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Sipas njoftimit zyrtar, janë përfunduar procedurat për ekstradimin në Shqipëri dhe Itali të këtyre shtetasve:

1. Altin Merdani, 46 vjeç, u ekstradua nga Greqia në Shqipëri. Ai është dënuar nga Gjykata e Gjirokastrës në vitin 2017 me 4 vjet e 8 muaj burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në vitin 2015, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, ai transportoi rreth 100 kg Cannabis në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë këtij aktiviteti kriminal, ndaj tyre u qëllua me armë, dhe si pasojë mbeti i plagosur një nga bashkëpunëtorët. Aktualisht, Merdanit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burg.

2. Fatmir Isollari, 58 vjeç, u ekstradua nga Shqipëria në Itali. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit të Firences me 7 vjet burg për trafikim të kokainës në kuadër të një organizate kriminale.

3. Xh. H., 30 vjeç, u ekstradua nga Shqipëria në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Romës për masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në komplot kriminal dhe zhvatje në rrethana rënduese.

4. A. A., 27 vjeç, u ekstradua nga Shqipëria në Itali, pasi Gjykata e Romës kishte lëshuar një urdhër arresti për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Policia e Shtetit thekson se bashkëpunimi me autoritetet ndërkombëtare mbetet prioritet në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të shtetasve të përfshirë në veprimtari kriminale, brenda apo jashtë vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button