Ekspertët kundërshtojnë Kurtin: Rritja ekonomike e Kosovës nuk është 6%, por vetëm 3.6%

Njohës të çështjeve ekonomike kanë vënë në dyshim saktësinë e deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me performancën ekonomike të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sipas tyre, shifrat e prezantuara publikisht nuk përputhen me të dhënat zyrtare statistikore.
Gjatë një takimi me mërgatën shqiptare në Londër, Kurti deklaroi se “rritja ekonomike mesatare vjetore e Kosovës gjatë periudhës 2020–2024 ka qenë 6 për qind”, duke e paraqitur këtë si dëshmi të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Por, njohësi i çështjeve ekonomike dhe ish-kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, e ka kundërshtuar këtë pretendim. Ai theksoi se të dhënat zyrtare tregojnë një mesatare shumë më të ulët – vetëm 3.6 për qind.
“Grafiku i statistikave zyrtare tregon qartë se rritja mesatare e GDP-së në periudhën 2020–2024 është 3.6% e jo 6%, siç u tha sot në Londër. Pse rrejnë dhe manipulojnë kaq shumë me statistika zyrtare?!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, duke akuzuar për keqinformim dhe përdorim politik të të dhënave ekonomike.
Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit ka përsëritur në njoftimin e saj në Facebook se rritja ekonomike mesatare ka qenë 6%, duke shtuar se “janë rritur të hyrat buxhetore, është mbështetur prodhimi vendor dhe janë forcuar lidhjet tregtare me Mbretërinë e Bashkuar”.
Një ditë më parë, Kurti kishte deklaruar gjithashtu se “Kosova ka pasur rritje mesatare vjetore prej 6% në katër vitet e fundit”, duke përmendur dyfishimin e investimeve të huaja dhe të eksporteve, si dhe uljen e papunësisë.
Megjithatë, raportet ndërkombëtare japin një panoramë më të përmbajtur. Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike e Kosovës të bjerë nga 3.6% në vitin 2024 në 3% në vitin 2025, duke theksuar se vendi pritet të ketë rënien më të madhe të ritmit të rritjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor – megjithatë duke mbetur pak mbi mesataren rajonale.
Këto dallime në interpretimin e të dhënave, sipas ekspertëve, ngrenë shqetësime për mënyrën se si qeveria i komunikon arritjet ekonomike në opinionin publik dhe në arenën ndërkombëtare.



