
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Edith Harxhi, deklaroi se “shumica e heshtur” e qytetarëve është gati të sjellë ndryshimin përmes votës. Sipas saj, frika e krijuar nga dhuna shtetërore ka nënshtruar qytetarin shqiptar, por vullneti për rotacion mbetet i gjallë.
Harxhi theksoi se presioni ndjehet si në administratë publike, ashtu edhe në sektorin privat. Ajo shprehu bindjen se më 12 maj vendi do të zgjohet me një ndryshim politik. Ndërkohë, një grup senatorësh dhe kongresmenësh amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Marko Rubio. Në letër shprehet shqetësimi për manipulimin e mundshëm të zgjedhjeve dhe përndjekjen e liderëve opozitarë në Shqipëri.
Harxhi: Shumica e heshtur janë i gjithë ai grup qytetarësh të cilët nuk duan të shfaqen hapur për arsye të ndryshme, e pohojnë nën zë, ose në pëshpërime dhe thonë që ne do ta largojmë, ne do ta godasim me votë dhe ne do të bëjmë ndryshimin, do të votojmë ndryshimin.
Janë të gjithë ata njerëz të cilët punojnë diku, këtu qytetarin e ka kapluar një frikë e madhe, për arsye të dhunës shtetërore dhe të nënshtrimit dhe asaj çfarë ka kërkuar Edi Rama vetë, që ta nënshtrojë qytetarin, individin shqiptar në përgjithësi, kjo ndihet kudo, ndihet si te punonjësit e administratës publike, dhe te privatët në të njëjtën kohë dhe megjithatë përsëri ata me mënyrat e tyre e shprehin që do të shkojnë të votojnë, dhe do të votojnë për këtë ndryshim.
Unë jam e bindur që në datën 12 aj shqiptarët do të gdhihen me rotacion.
Dje një grup kongresmenësh dhe senatorësh amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Marko Rubio, në të cilën ata i shprehin në mënyrë të hapur që të ketë kujdes nga ana e Sekretarit Rubio për lidhjet në Shqipëri për atë që mund të ndodhë, që ata e quajnë manipulim zgjedhor, por në të njëjtën kohë edhe për përndjekjen që i është bërë liderëve politikë në Shqipëri.
Gjithçka është ngritur në nivelin më të lartë të Departamentit të Shtetit.