Kosova

Edhe LDK i drejtohet Kushtetueses për komisionin e votimit të fshehtë

Pas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se grupi i deputetëve të kësaj partie tashmë ka përgatitur draftin për t’ia paraqitur Gjykatës Kushtetuese.

“Ne prapë kemi me dërgu nesër. Grupi i deputetëve të LDK-së e ka përgatitur draftin në Gjykatën Kushtetuese ku do të kërkojë shpjegim dhe vlerësim në lidhje me çështjen, sepse ne po ftohemi që të votojmë për një komision ad-hoc i cili në procedurë e sipër, kryesuesi fton pa të drejtë”, deklaroi Haziri në një intervistë për Klan Kosova.

Ai theksoi se kërkesa e LDK-së është eksplicite dhe ka të bëjë me faktin nëse kryesuesi i seancës ka të drejtë të vazhdojë me ftesat ndaj deputetëve për përzgjedhjen e këtij komisioni.

“Ne do t’i drejtohemi në këtë frymë të vendimit që e ka sjellë, se a ka të drejtë kryesuesi të vazhdojë që t’i ftojë deputetët që të zgjedhin komision ad-hoc për votim të fshehtë. Është eksplicit në kërkesë”, shtoi ai.

Ndërkohë, një ditë më parë, edhe PDK ka dorëzuar zyrtarisht në Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

PDK konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë, hedhjen në votim të këtij komisioni, vetë votimin e tij dhe ndërprerjen që e cilësoi si arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë të dyja kërkesat, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button