Bota

ECHR: Rusia përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Ukrainë që nga viti 2014

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) ka konstatuar të mërkurën se Rusia ka kryer shkelje të rënda dhe të shumta të të drejtave të njeriut në Ukrainë që nga viti 2014, duke përfshirë mbështetjen ndaj separatistëve në lindje të vendit, përfshirjen në rrëzimin e avionit MH17 dhe pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Sipas “The Moscow Times”, vendimi është marrë nga një panel prej 17 gjyqtarësh, të cilët kanë gjetur se Rusia është përgjegjëse për vrasje jashtëgjyqësore të civilëve dhe ushtarëve ukrainas jashtë zonave të luftimeve, për tortura, punë të detyruar, ndalime të paligjshme dhe plaçkitje sistematike.

Gjykata gjithashtu ka identifikuar dëshmi të qarta për transferimin e fëmijëve ukrainas në Rusi dhe birësimin e tyre të organizuar, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve.

Në vendimin e saj, ECHR ka urdhëruar autoritetet ruse që të lirojnë menjëherë të gjithë civilët ukrainas të ndaluar në mënyrë të paligjshme në territoret e pushtuara dhe të bashkëpunojnë për identifikimin dhe kthimin e fëmijëve të transferuar para shtatorit 2022, në mënyrë që të ribashkohen me familjet e tyre.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka cilësuar vendimin si “të pavlefshëm” dhe ka deklaruar se Rusia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës në këtë rast.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button