Dy persona arrestohen për fajde dhe krim të organizuar në Kosovë

Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë arrestuar dy persona, me inicialet B.M. dhe Q.M., nën dyshimet për përfshirje në disa vepra penale.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit akuzohen për “fajde”, “shpëlarje parash”, “kanosje”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim”.
Arrestimet janë bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë aksionit, policia ka ushtruar kontrolle në katër lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse që lidhen me të dyshuarit.
Në bastisje janë sekuestruar prova materiale, të cilat do të përdoren në procedurat gjyqësore. Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, Prokuroria Speciale ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë.
Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë për të sjellë para ligjit të gjithë ata që kryejnë vepra penale.