Kosova
Kryesore

Ambasadori britanik: Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si shtet shumetnik

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si një shtet shumetnik, ku të gjitha komunitetet ndihen të mirëpritura dhe të barabarta.

Deklarata e tij erdhi pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, ku dështoi zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb, ndërsa kryetari i ri, Dimal Basha, shpalli konstituimin e Kuvendit.

“Kosova duhet të jetë një vend ku të gjitha komunitetet duan të qëndrojnë, ku ndihen të mirëpritura dhe ku shohin një të ardhme. Mbretëria e Bashkuar ka qenë partnere që nga fillimi i ndërtimit të një shteti shumetnik dhe do të mbetet e tillë”, tha Hargreaves për radion lokale “Gorazhdevac”, gjatë një vizite në Rahovec.

Ai u shpreh i impresionuar nga angazhimi i banorëve për mirëkuptim dhe bashkëjetesë. “Është frymëzuese të shohësh sa punëtorë janë njerëzit, sa të gatshëm janë për komunikim dhe bashkëpunim”, shtoi ai.

Gjatë vizitës, ambasadori vizitoi Kishën e Virgjëreshës së Shenjtë dhe u takua me klerin dhe komunitetin serb lokal. “Isha i magjepsur që ende ekziston një komunitet i vogël serb, por shumë i gjallë dhe komunikues”, theksoi ai.

Në takimin me kryetarin e komunës, Hargreaves foli për rëndësinë e bujqësisë dhe mbrojtjes së mjedisit, duke përmendur shqetësimet për ruajtjen e burimeve ujore dhe tokës.

Ai nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e bashkëjetesës dhe theksoi përkushtimin për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes komuniteteve brenda vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button