Dy persona arrestohen në Prishtinë për falsifikim të 40 mijë eurove

Dy persona janë arrestuar të martën mbrëma në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “Falsifikimit të parasë”, pas një operacioni të organizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas hetimeve disa mujore. Gjatë operacionit, policia ka ndaluar një veturë ku ndodheshin të dyshuarit me inicialet S.T. dhe A.Th.
Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur dhe sekuestruar 40 mijë euro të falsifikuara, të cilat, sipas testimeve fillestare, kanë rezultuar të jenë false.
Pas ndalimit, policia ka kryer kontrolle edhe në dy lokacione të tjera, përfshirë shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve.
“Prokuroria Speciale e Kosovës, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet lidhur me këtë rast vazhdojnë.



