Lajme

Në katër vite u mbyllën 104 shkolla 9-vjeçare në vend, tkurrje me 14% e numrit të nxënësve

Në Shqipëri, gjatë periudhës 2020–2024, janë mbyllur 104 shkolla të ciklit 9-vjeçar në sistemin publik, duke shënuar një rënie me rreth 10% të rrjetit arsimor në këtë nivel. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në të gjithë vendin ishin vetëm 1,127 shkolla 9-vjeçare, ndërsa numri i nxënësve është tkurrur me 36.8 mijë, ose 14.2% më pak krahasuar me katër vite më parë.

Sipas qarqeve, Kukësi mban rekordin për mbylljet më të mëdha, me 22% të shkollave të këtij cikli që nuk funksionojnë më. Pas tij renditen Gjirokastra dhe Korça, me rënie përkatësisht 16% dhe 15%. Tkurrje të ngjashme janë regjistruar edhe në Lezhë, Shkodër dhe Elbasan, ku mbylljet variojnë rreth 14%.

Në të kundërt, Tirana është e vetmja zonë ku numri i shkollave është shtuar, me tre institucione të reja gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar përqendrimin demografik dhe rritjen e popullsisë në kryeqytet. Edhe Vlora ka regjistruar një përqindje të ulët mbylljesh (5.3%), ndërsa në Durrës numri i shkollave ka mbetur i pandryshuar.

Rënia e numrit të nxënësve është më e theksuar në qarqet Dibër (-28.6%), Berat (-25.7%) dhe Fier (-24%). Fieri dhe Elbasani janë ndër më të prekurit në shifra absolute, me më pak se 10 mijë nxënës së bashku. Ndërkohë, edhe Tirana ka regjistruar një tkurrje të lehtë, me rreth 3 mijë nxënës më pak se në vitin 2020.

Paradoksalisht, ndërsa shkollat dhe nxënësit janë pakësuar, numri i mësuesve është rritur me mbi 2,100, si pasojë e riorganizimit të stafit dhe zhvendosjes së burimeve njerëzore drejt zonave urbane.

Megjithëse shpenzimet për arsimin kanë ardhur në rritje, ato nuk janë reflektuar në përmirësimin e cilësisë. Testimet ndërkombëtare PISA për periudhën 2018–2022 tregojnë për rënie të ndjeshme të njohurive të nxënësve 15-vjeçarë shqiptarë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button