Duka për lojtarët nga Kosova: Kombëtarja i ka dyert e hapura për çdo shqiptar, kudo që jeton

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Hajde Flasim” në TV21 në Maqedoninë e Veriut, në intervistën e tij të parë televizive në këtë vend. Duka foli gjerësisht për Kombëtaren shqiptare, futbollistët me origjinë shqiptare në rajon, marrëdhëniet me federatat fqinje, bashkëpunimin me UEFA-n dhe organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.
Roli në UEFA dhe zhvillimi i futbollit
Duka theksoi rëndësinë e përfaqësimit të Shqipërisë në strukturat e UEFA-s:
“Përfaqësimi në UEFA është një vlerësim për të gjithë federatën, jo për individin. Nuk jemi aty për të fituar projekte, por për të ndërtuar politika dhe strategji për zhvillimin e përbashkët të futbollit europian.”
Kualifikimi për Botërorin dhe fitorja ndaj Serbisë
Sa i përket ndeshjes me Serbinë dhe shanseve për kualifikim në Botëror, Duka u shpreh optimist:
“Rezultati ndaj Serbisë ishte shumë i rëndësishëm. Jemi një pikë përpara tyre dhe duhet të vlerësojmë maksimalisht Andorrën. Nuk ka më ekipe të lehta sot, diferencat janë shumë të vogla.”
Shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut
Presidenti i FSHF-së theksoi se politika e federatës ka qenë gjithmonë përfshirëse:
“Dyert e Kombëtares janë të hapura për çdo shqiptar, kudo që jeton. Kushdo që flet shqip dhe dëshiron të përfaqësojë flamurin kuqezi, është i mirëpritur.”
Sa i përket shqiptarëve që zgjedhin të luajnë për Maqedoninë e Veriut, Duka tha:
“Është legjitime që ata të përfaqësojnë vendin ku jetojnë. Ne do të donim t’i kishim në Kombëtaren tonë, por i respektojmë zgjedhjet e tyre.”
Marrëdhëniet me FFM dhe FFK
Duka vlerësoi marrëdhëniet e mira me Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe me atë të Kosovës:
“Federatat kanë pasur gjithmonë raporte korrekte. Me Kosovën kemi marrëdhënie vëllazërore, ndihmojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin në çdo hap.”
Tifozët, biletat dhe dënimet
Në lidhje me çmimet e biletave, Duka tha se do të dëshironte që hyrja në stadium të ishte falas, por kjo nuk është e mundur në kushtet e ekonomisë së tregut:
“Do të isha shumë i lumtur që njerëzit të mos paguanin, por pa të ardhura është e vështirë të ecësh përpara.”
Për sjelljen e tifozëve dhe dënimet nga UEFA, ai shtoi:
“Duam që futbolli të mbetet futboll, me emocione, por me më pak shkelje disiplinore. Po punojmë për ta përmirësuar komunikimin me tifozët.”
Bashkëorganizimi me Serbinë për Europianin U-21
Duka foli edhe për organizimin e përbashkët me Serbinë të Kampionatit Europian U-21:
“E kemi menduar mirë këtë vendim. Ky organizim sjell zhvillim sportiv dhe krijon ura bashkëpunimi. Historia nuk harrohet, por përmes futbollit mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.”
Klubet shqiptare dhe sfidat ekonomike
Duka theksoi se rezultatet e klubeve shqiptare në arenën europiane varen ngushtë nga ekonomia e vendit:
“Kampionatet tona e pasqyrojnë ekonominë e vendeve tona. Për të shkuar më larg duhen më shumë financa, ligje për sponsorizime dhe mbështetje nga shteti.”
Mesazhi për të rinjtë
Në fund, Duka dha një këshillë për të rinjtë shqiptarë:
“Të rinjtë duhet të kenë përkushtim, dëshirë, korrektësi dhe dashuri për punën që bëjnë. Futbolli i ndihmon të bëhen njerëz më të mirë, jo vetëm sportistë.”



