Drejtori i Spitalit të Dibrës kërcënohet nga ish-drejtoresha – Gjykata e lë në arrest shtëpie Irini Shehun

Vetëm gjashtë ditë pasi ishte emëruar në krye të Spitalit Rajonal të Dibrës, drejtori i ri, Ruzhdi Deda, është përballur me kërcënime, përndjekje dhe shantazhe nga paraardhësja e tij në këtë detyrë, Irini Shehu. Ish-drejtoresha është shkarkuar më herët pasi kishte dhunuar ekonomistin e spitalit me sende të forta.
Sipas dosjes hetimore të prokurorisë, Deda e kishte ftuar Shehun në zyrë për t’i tërhequr sendet personale, por takimi është kthyer në debat të ashpër verbal. Konflikti është thelluar edhe më tej në komunikimet në grupin e WhatsApp-it të Partisë Socialiste, ku Shehu ka dërguar ofendime të drejtpërdrejta ndaj drejtorit të ri. Një nga mesazhet e saj, që citohet në dosje, shprehet:
“Provo dhe thauju dhe njëherë koordinatorëve që sa kohë mereni me Irma Sehun nuk do filloni punë në spital… dhe të shohësh, ty të bëhet me Shengen hyrja në spital. Lexoje mirë këtë sms.”
Përndjekja, sipas kallëzimit të Dedës, është shtrirë edhe ndaj bashkëshortes së tij, e cila ndodhej në muajin e nëntë të shtatzënisë. Me një adresë në rrjetet sociale, Shehu i është drejtuar me mesazhe të natyrës kërcënuese, përfshirë një ku i shkruan: “Kujdes burrin, pasi futen shumë në zyrë dhe i rrinë gjatë.” Sipas dosjes, ajo ka vijuar të dërgojë mesazhe në orët e para të mëngjesit, me përmbajtje denigruese dhe shantazhuese.
Një tjetër episod i tensionuar ka ndodhur më 22 prill, kur pas një mbledhjeje të Partisë Socialiste, Irini Shehu e ka sulmuar verbalish Dedën në prani të të gjithë koordinatorëve.
Pas kallëzimit të bërë nga drejtori dhe mbledhjes së provave përkatëse, policia ka vepruar ndaj Shehut. Gjykata ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për të.