Berisha nga Gramshi: Prioritet absolut për zhvillim – energji falas, pensione mbi 200 euro, subvencione për fermerët dhe paga të larta

Në mbyllje të fushatës elektorale nga Gramshi, kryedemokrati Sali Berisha premtoi një paketë të gjerë reformash ekonomike dhe sociale, duke e cilësuar këtë qytet si përparësi absolute të qeverisë së ardhshme të Partisë Demokratike. Ai theksoi se Gramshi do të marrë vëmendjen që i është mohuar, duke nisur me investime në infrastrukturë, bujqësi dhe energji.
70 milionë euro në vit për tokën bujqësore
Berisha deklaroi se çdo vit do të investohen 70 milionë euro për vaditje, kullim dhe mirëmbajtje të tokës, ndërsa buxheti për bujqësinë do të dyfishohet. Subvencionet për fermerët do të pesëfishohen, duke kapur shifrën 230 milionë euro, një nivel që do ta barazojë Shqipërinë me vendet fqinje.
Energjia falas pas 3 vitesh
Kreu i PD-së u zotua se brenda 4 viteve, Shqipëria do të shndërrojë potencialin e saj të energjisë ujore, diellore dhe me erë në përfitim të drejtpërdrejtë për familjet, duke garantuar energji elektrike falas pas tre vitesh.
Pensionet dhe pagat do rriten ndjeshëm
Në 100 ditët e para të qeverisë së re, Berisha premtoi që asnjë pension nuk do të jetë më pak se 200 euro, ndërsa rroga minimale do të jetë 500 euro. Mësuesit nuk do të paguhen më pak se 1500 euro, ndërsa rrogat e mjekëve dhe infermierëve do të dyfishohen.
Të tjera masa ekonomike dhe sociale
Ulje e çmimit të naftës me 40%
Rimbursim 100% i barnave sipas listës italiane
Karta e konsumatorit për rrogat e ulëta dhe pensionistët, me 20% ulje në blerje
TVSH nga 20% në 15% dhe tatim fitimi nga 23% në 10%
Energjia për biznesin nga 18 në 6 lekë
Hiqet çdo taksë për 5 vjet për shqiptarët që kthehen nga emigracioni
Kredi të buta dhe grante për strehim dhe biznes
Modernizim i arsimit dhe heqje e mesatares për universitetin
Berisha theksoi se këto masa do të shërbejnë për t’i dhënë fund mjerimit, duke arkivuar “turpin” e qeverisjes aktuale, që sipas tij, ka shpërfillur qytetarët dhe ka mbështetur vetëm pakicën në pushtet.