Dogana e Kosovës sekuestron 20 mijë euro të padeklaruara në Jarinjë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët doganorë kanë sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej rreth 20 mijë euro, në pikëkalimin kufitar të Jarinjës.
Sipas njoftimit, gjatë një kontrolli rutinë të automjeteve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës, doganierët kanë zbuluar shumën e konsiderueshme të parave në posedim të një shtetasi të Serbisë.
Paratë e sekuestruara përbëheshin kryesisht nga monedha në dinarë serb, ndërsa pjesa tjetër në valutën euro. Ato nuk ishin deklaruar sipas rregullave doganore në momentin e hyrjes.
“Çdo shumë monetare mbi 10,000 euro që hyn ose del nga territori i vendit duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave administrative dhe ndëshkuese, si dhe hetimeve të mëtejshme”, ka theksuar Dogana e Kosovës.