BE dhe SHBA drejt sanksioneve të reja ndaj Rusisë

I dërguari i Bashkimit Evropian për sanksionet, David O’Sullivan, ndodhet në Uashington me një ekip ekspertësh për të diskutuar me zyrtarë amerikanë lidhur me masa shtesë ndëshkuese ndaj Rusisë, konfirmoi të hënën Komisioni Evropian.
Një ditë më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është i gatshëm të kalojë në një fazë të dytë kufizimesh kundër Moskës, duke lënë të kuptohet për ashpërsim të sanksioneve për shkak të luftës në Ukrainë.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, tha se blloku po bashkërendon me Shtëpinë e Bardhë për një paketë të re ndëshkimesh, pas disa zhgënjimeve në fillim të vitit kur Trump kishte zgjedhur të bisedonte drejtpërdrejt me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrë pjesë me vendet e tjera të G7-ës në vendosjen e çmimit tavan të naftës ruse në 47.60 dollarë për fuçi. Megjithatë, Uashingtoni ka vendosur tarifa të larta ndaj mallrave indiane, pjesërisht për shkak të importit të energjisë ruse nga India.
Diplomatët evropianë bëjnë të ditur se BE-ja është në përgatitje të paketës së 19-të të sanksioneve, e cila pritet të përfshijë kompani kineze, banka dhe anije ruse të ashtuquajturës “flota në hije” që shmang sanksionet, si dhe një ndalim të transaksioneve për naftën ruse.
Nga ana tjetër, Kremlini reagoi duke thënë se asnjë masë ndëshkuese nuk do ta detyrojë Rusinë të ndryshojë kursin e saj.