Dodik refuzon të njohë heqjen e mandatit, sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës

Milorad Dodik ka deklaruar se nuk do të njohë heqjen e mandatit të tij si president i Republikës Serbe, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës. Ai tha se do të vazhdojë të veprojë si president dhe se i përmbahet vetëm “vullnetit të popullit serb”.
“Ju prisni që të nënshtrohem, por unë nuk do ta bëj këtë. Jam president i Republikës Serbe dhe ju mund të shkruani çfarë të doni. Populli më ka zgjedhur, jo një qeveri e huaj”, shkroi Dodik në rrjetin social X.
Ai akuzoi institucionet që e hoqën nga detyra se nuk kanë respektuar as Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës, as atë të Republikës Serbe, dhe as ligjin. “Ju keni rrugën tuaj, ne do të ndjekim tonën. Shpresoj që ato rrugë të mos takohen”, tha Dodik.
Ky reagim vjen pas vendimit të Dhomës së Apelit të Gjykatës së BeH, e cila hodhi poshtë ankesën e Dodikut kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mandati i tij u revokua pas një aktgjykimi gjyqësor që e shpalli fajtor për shkelje të ligjit.