Kosova

Dioqeza Prizren-Prishtinë nderon me mirënjohje “Nënën e UÇK-së”, Stane Gashin

Dioqeza Prizren-Prishtinë ka nderuar me mirënjohje Stane Gashin, e njohur ndryshe si “Nëna e UÇK-së”, në një mbrëmje solemne kulturore të mbajtur me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe 20-vjetorit të bekimit të gurthemelit të Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Stane Gashi, së bashku me bashkëshortin e saj të ndjerë, Ndue Gashin, kishin 11 fëmijë – tri vajza e tetë djem. Tre prej djemve luftuan nën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e familjes u angazhua duke pritur dhe strehuar mbi 300 ushtarë të UÇK-së në vitet 1998-1999.

Shtëpia e tyre në fshatin Brus të Lipjanit u shndërrua në bazë të UÇK-së, ku gjetën strehë dhe mbështetje shumë dëshmorë dhe udhëheqës të luftës për liri. Pas vdekjes së Ndue Gashit, në krye të sofrës dhe konakut vazhdon të qëndrojë Nëna Stane – simbol i qëndresës dhe sakrificës.

Ceremonia u mbajt në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë dhe shënoi zyrtarisht hapjen e aktivitetit tradicional “Ditët e Nënë Terezës” 2025.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button