Presidenti i Polonisë vë veton ndaj ligjit për ndihmat për refugjatët ukrainas

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka përdorur veton kundër një projektligji që parashihte ndihma për refugjatët ukrainas, duke shkaktuar polemika të ashpra në politikën e brendshme të vendit.
Projektligji, i cili do të hynte në fuqi më 1 tetor, parashihte kufizimin e së drejtës së refugjatëve për të punuar në Poloni. Kritikët paralajmërojnë se një vendim i tillë mund të detyrojë shumë prej tyre të punojnë në të zezë, duke ulur të ardhurat e shtetit nga taksat.
Nawrocki njoftoi gjithashtu plane për të kufizuar qasjen e refugjatëve ukrainas në përfitimet për fëmijë dhe shërbimet shëndetësore. Presidenti konservator, i cili u zgjodh më 1 qershor pas një gare të ngushtë me kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, ka premtuar një politikë të tipit “Polonia e Para”, duke paralajmëruar masa më të ashpra ndaj të huajve.
Vendimi i tij është kritikuar ashpër nga Qeveria e Polonisë. Ministria e Brendshme deklaroi se vetoja “minon stabilitetin e ekonomisë, kohezionin social, detyrimet ndërkombëtare dhe sigurinë e vendit”, duke shtuar se kjo mund të krijojë shpenzime shtesë prej mbi 2 miliardë dollarësh për buxhetin.
Edhe zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski reagoi duke thënë se “në Rusi janë të lumtur me përpjekjet e presidentit Nawrocki për ta bllokuar mbështetjen për Ukrainën”.
Megjithëse Nawrocki e ka shprehur mbështetjen për Kievin në luftën kundër Rusisë, ai kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në NATO – një qëndrim që po gjen gjithnjë e më shumë përkrahës mes qytetarëve polakë, të lodhur nga fluksi prej 1.5 milionë refugjatësh dhe kostot që ai sjell.