Die Welt: Shqipëria, vend i kontrasteve mes rrugëve të shkatërruara dhe mikpritjes legjendare

Një reportazh i gazetës gjermane Die Welt e përshkruan Shqipërinë si një destinacion turistik plot kontraste, ku bukuria natyrore dhe mikpritja e shqiptarëve përplasen me infrastrukturën e dobët dhe kaosin urban.
Gazetari gjerman tregon përvojën e tij gjatë një udhëtimi me makinë nga Durrësi drejt jugut të vendit, duke përshkruar rrugë me gropa që “duken si kratere nga granatat” dhe segmente moderne autostradash që përfundojnë papritur në shtigje të paasfaltuara. Ai paralajmëron se Google Maps shpesh jep informacione të gabuara, duke regjistruar shtigje mushkash si autostrada.
Në rrugët e Shqipërisë, sipas reportazhit, bie në sy kontrasti i fuqishëm mes luksit të makinave gjermane si Mercedes, BMW e Audi dhe varfërisë që ende është e dukshme në fshatra. Autorët theksojnë se për shqiptarët automjeti është një simbol statusi, shpeshherë më i rëndësishëm se shtëpia, dhe se pasuria e shumë makinave luksoze lidhet me emigracionin, korrupsionin apo tregtinë e drogës.
Gazetari sjell edhe rrëfimin e një banori të Beratit, i cili e konsideron diktatorin Enver Hoxha “njeri të mirë” për shkak të sigurisë sociale të asaj kohe, ndonëse ai kujton frikën nga arrestimet për shkak të dëgjimit të radiove të huaja.
Megjithatë, përkundër varfërisë, problemeve infrastrukturore dhe trafikut kaotik, reportazhi thekson mikpritjen e shqiptarëve. Gazetari rrëfen se gjatë një kontrolli policor u lejua të kalonte vetëm pse ishte turist, edhe pse nuk kishte patentë të vlefshme ndërkombëtare.
Në përfundim, Die Welt shkruan se Shqipëria ia vlen të eksplorohet, pasi ofron gjithçka: nga plazhet e Adriatikut, deri te malet alpine, monumentet historike dhe kuzhina e pasur tradicionale – duke u bërë një destinacion turistik që nuk është më sekret.