DhSK vendos kufizime për vizitat e Hashim Thaçit, por jo për vëllezërit e tij

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë vendosur kufizime për vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë, por refuzuan të kufizojnë kontaktet me tre vëllezërit e tij.
Vendimi, i marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot, u mor pas kërkesës së Prokurorisë, e cila kërkoi të ndaloheshin vizitat e tre vëllezërve të Thaçit dhe të disa personave të tjerë. Prokuroria argumentoi se disa vizitorë kishin marrë udhëzime nga Thaçi për t’i përcjellë informacione tek dëshmitarët, duke rrezikuar integritetin e procedurës.
Sipas vendimit, kufizimet vlejnë vetëm për vizitat jo të privilegjuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër persona të tjerë, emrat e të cilëve janë redaktuar. Gjyqtarja ka vlerësuar se këta individë kanë marrë pjesë në vizita ku janë zbuluar informacione konfidenciale.
Ndërkaq, për tre vëllezërit e Thaçit, Masselot tha se kontaktet janë të rëndësishme për ruajtjen e jetës familjare dhe për mbështetjen morale të ish-presidentit, veçanërisht pas vdekjes së babait të tij. Për këtë arsye, kërkesa e Prokurorisë për kufizimin e vizitave të tyre u refuzua.
Gjithashtu, gjyqtarja vendosi se diskutimet mbi çështjet publike për krime lufte dhe administrimin e drejtësisë nuk mund të kufizohen, duke argumentuar se nuk janë të nevojshme dhe nuk cenojnë integritetin e procesit. Kufizimet e vendosura do të rishikohen çdo tre muaj.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe po gjykohet për krime lufte, ndërsa vitin e kaluar i është ngritur aktakuzë edhe për administrimin e drejtësisë.