Kosova

DhSK: Avokati i Thaçit paralajmëron dëshmitarë të rinj, gjykata kërkon efikasitet

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka njoftuar se ekipi i tij ka marrë autorizimin për dëshmitarët e mbrojtjes me kodet 1DW008 dhe 1DW010. Ai tha se deklaratat e tyre do t’u bëhen të ditura palëve këtë javë, ndoshta edhe gjatë ditës së nesërme.

Sipas tij, mbetet vetëm një dëshmitar për të cilin duhet autorizim, 1DW007, ndërsa synimi i mbrojtjes është që të gjithë këta dëshmitarë të paraqiten fizikisht në sallën e gjyqit.

“Besojmë që po, por ka disa faktorë që ndërhyjnë. Kemi parashtruar një mocion për një dëshmitar, dhe vendimi ende nuk është marrë. Kemi edhe një dëshmitar tjetër për të cilin u diskutua dje. Do të njoftojmë për të gjithë dëshmitarët që mbeten dhe synojmë t’i përfundojmë brenda planit të paraparë,” tha Mishetiq.

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, theksoi se qëndrimet e tyre për pyetjet ndaj dëshmitarëve të Thaçit mbeten të pandryshuara, përveç nëse paraqiten dëshmitarë të tjerë. Ndërsa mbrojtja e Jakup Krasniqit po bën rivlerësime për listën e saj.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, kërkoi nga palët më shumë efikasitet, me qëllim që faza e mbrojtjes të mbyllet më 14 nëntor, sipas afatit të paraparë.

Pas këtyre diskutimeve, në sallë vijoi dëshmia e James Peter Covey, i cili po merret në pyetje nga prokurorja Vega Iodice.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button